Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar procesin aktual të themelimit të institucioneve të Kosovës, duke e cilësuar atë si jokushtetues.
Përmes një reagimi, Hoti ka renditur tri çështje që, sipas tij, e kanë futur vendin në një situatë të rëndë institucionale.
1. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit
Hoti pretendon se Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe se, për këtë arsye, edhe konstituimi eventual i tij mund të kontestohet.
2. Qeveria në detyrë
Sipas Hotit, edhe funksionimi i Qeverisë në detyrë është problematik nga aspekti kushtetues, pasi kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë.
Ai pretendon se, pas betimit si deputetë, ata nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve qeveritare.
Hoti i ka cilësuar vendimet e kësaj qeverie si të kontestueshme, duke iu referuar edhe një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.
3. Presidentja
Hoti ka ngritur pretendime edhe për ushtrimin e detyrës së Presidentes nga ish-kryetarja e Kuvendit.
Sipas tij, pas betimit si deputete, ajo nuk mund të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Presidentes, ndërsa legjislatura e kaluar, sipas interpretimit të tij, ka përfunduar me betimin e 120 deputetëve të rinj.
Në fund, Hoti ia ka atribuar përgjegjësinë kryesore për situatën kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atyre që, sipas tij, e mbështesin.
“Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë”, ka shkruar Hoti.
Ai e ka përshkruar gjendjen aktuale si “kaos dhe jokushtetutshmëri”, duke e cilësuar atë si një prej krizave më serioze institucionale në vend.

