Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka shprehur dyshime nëse projektligji i propozuar për ndryshime ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara do të sjellë rezultatet e synuara. Ai tha se nuk është i bindur se janë bërë konsultimet e nevojshme gjatë hartimit të tij, ndërsa konfirmoi se Qeveria po punon për një strategji shtetërore për procedurat e Apelit në rastin e katërshes së UÇK-së.
Hoti: Nuk jemi shumë të bindur për projektligjin
Pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se shpreson që partia që e ka sponsorizuar projektligjin të jetë konsultuar me akterët përkatës dhe me ekipet e mbrojtjes në procesin e Apelit.
Megjithatë, ai vuri në pikëpyetje nëse ndryshimet e propozuara do të jenë të mjaftueshme për të siguruar mbrojtjen e duhur për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, por po shpresojmë që partia që e ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me akterët e tjerë dhe me Apelin. Nuk jam shumë i bindur për projektligjin që do të bëjë ndryshimet e nevojshme që të kenë një mbrojtje të duhur udhëheqësit tanë të UÇK-së që janë në Hagë”, deklaroi Hoti.
Ministri foli edhe për reagimet e Bashkimit Evropian, të cilat i cilësoi të pritshme. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës parasheh konsultime paraprake me BE-në për ndryshime të kësaj natyre.
“Një gjë e tillë, sa e dimë ne, nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji që është hartuar për dy apo tri ditë”, tha Hoti, duke shprehur shqetësime për mënyrën dhe kohën e hartimit të tij.
Qeveria nis punën për strategjinë shtetërore për Apelin
Hoti bëri të ditur se Qeveria po punon për hartimin e një strategjie shtetërore që do të përqendrohet në procedurat e Apelit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Ministri tha se ende nuk mund të përcaktohet se kur do të përfundojë strategjia, pasi kjo varet nga disa faktorë. Ai theksoi se puna duhet të nisë menjëherë, por pa u nxituar në hartimin e dokumentit.
Sipas Hotit, strategjia duhet të përgatitet me kujdes, në mënyrë që të shmangen gabimet që mund të vijnë si pasojë e ngutjes.
Marrëveshjet për pensionet me Austrinë dhe Turqinë
Gjatë konferencës për media, Hoti foli edhe për marrëveshjet e pensioneve me Austrinë dhe Turqinë, të cilat synojnë t’ua mundësojnë qytetarëve të Kosovës që kanë jetuar ose punuar në këto vende të realizojnë të drejtat pensionale sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshje.
Ai shpjegoi se qytetarët do të mund të përfitojnë nga këto marrëveshje në Kosovë ose në shtetet përkatëse, në varësi të periudhave të punës dhe kushteve të përcaktuara.
“Kjo marrëveshje nuk parasheh kosto buxhetore. Synojmë që në vitin 2027 të fillojë zbatimi i këtyre dy marrëveshjeve”, tha Hoti.
Kërkohen marrëveshje të ngjashme me Slloveninë dhe Kroacinë
Ministri njoftoi se ka kërkuar takime me homologët e tij në Slloveni dhe Kroaci, me synimin për të konkretizuar marrëveshje të ngjashme me atë të Austrisë.
Duke folur për punëtorët kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, Hoti tha se pret që takimi të realizohet dhe që në të të diskutohet edhe migrimi i rregullt i punëtorëve të kualifikuar.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për çështjet që lidhen me qytetarët e Kosovës jashtë vendit, ndërsa shtoi se deklaratat politike të kryeministrave nuk janë çështje që mund t’i komentojë në cilësinë e tij si ministër.

