Deputetja Hykmete Bajrami ka reaguar pas lajmit se edhe një person ka humbur jetën si pasojë e aksidentit të shkaktuar nga rrëshqitja e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se bëhet fjalë për një rrezik të njohur dhe të paralajmëruar prej kohësh, i cili, sipas saj, nuk ka marrë asnjëherë vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse.
Ajo e cilësoi rastin si një shembull tipik ku shteti është dashur të veprojë me urgjencë, qoftë edhe përmes procedurave të jashtëzakonshme, për të eliminuar rrezikun dhe për të parandaluar pasojat fatale.
“Shteti është dashur të ndërhyjë menjëherë për ta larguar këtë rrezik, por aty ku për qeverinë nuk ka leverdi ekonomike apo përfitim politik, duket se nuk ka as urgjencë,” u shpreh Bajrami.
Sipas saj, viktimat e kësaj tragjedie nuk duhen parë vetëm si statistika, pasi pas çdo humbjeje qëndrojnë familje të tëra, jeta e të cilave ka ndryshuar përgjithmonë.
Bajrami theksoi se bëhet fjalë për jetë njerëzish që, sipas saj, mund të ishin shpëtuar, duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari pa vonesë.
“Në këtë rast, mospuna e qeverisë po i vret qytetarët,” deklaroi ajo, duke shtuar se kryeministri në detyrë duhet të dalë sa më parë me një deklarim publik lidhur me këtë ngjarje tragjike.

