Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke kundërshtuar mundësinë që Kuvendi aktual të votojë buxhetin për vitin 2026.
Në reagimin e saj, Bajrami thekson se nuk ekziston asnjë bazë ligjore që kjo legjislaturë të miratojë buxhetin e përgatitur nga “një qeveri që tashmë është shpallur uzurpuese e zyrave shtetërore” nga Gjykata Supreme.
“Qysh me votu deputetët buxhetin e përgatitur nga kolegët e tyre deputetë që kanë rastisur të jenë uzurpator të zyrave të Qeverisë? Qysh deputeti Kurti me prezantu buxhetin dhe mandej ai bashkë me ne me u ulë me votu?!” – shkruan Bajrami.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos “bien pre e propagandës”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të sistematike të ligjeve dhe Kushtetutës në funksion të “kapjes së institucioneve”.
“Për pesë vjet kemi shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe të Kushtetutës, në përpjekje për ta marrë pushtetin me anë të uzurpimeve, e jo me votë”, ka shtuar ajo.
Bajrami ka kritikuar ashpër edhe përpjekjet për ta përdorur RTK-në dhe punëtorët e saj për qëllime politike, duke kërkuar që buxheti i ndarë për këtë institucion të mbetet siç ishte planifikuar më parë.
Ajo gjithashtu ka përmendur se buxheti i Prishtinës është miratuar në Kuvendin Komunal më 9 dhjetor 2024 dhe se Qeveria e kaluar ka pasur kohë ta procedojë në Kuvendin e Kosovës para zgjedhjeve të 9 shkurtit, por nuk e ka bërë.
Në fund të reagimit, deputetja e LDK-së ka kërkuar shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke theksuar se vendi “nuk mund të mbetet më gjatë eksperiment i Albin Kurtit”.
“Mjaft me bllokada! Shkojmë në zgjedhje tani. Qeveri brenda një jave pas rezultateve! Ky popull e ky shtet s’duron të mbetet eksperiment i Albin Kurtit,” përfundon reagimi i Hykmete Bajramit.

