Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, zhvilloi një seri vizitash në investime kapitale në arsim, energji dhe banim social në komunat e Fushë Kosovës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Çerdhe dhe shkollë e re në Fushë Kosovë
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci morën pjesë në përurimin e një çerdheje në Fushë Kosovë, një investim i MAShTI-t me vlerë rreth 415 mijë euro, që ofron hapësirë moderne prej 750 m² për 60 fëmijë. Objektet janë të pajisura me të gjitha mjetet për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Kryeministri nënvizoi rëndësinë e investimeve në arsimin e hershëm: “Të investosh në çerdhe për fëmijë do të thotë të investosh në të ardhmen e shtetit, aty ku vendosen themelet për zhvillimin dhe suksesin e fëmijëve tanë, nesër profesionistë dhe udhëheqës të vendit.”
Ai njoftoi gjithashtu ndërtimin e një çerdhe tjetër publike në Fushë Kosovë, me vlerë mbi 1.2 milionë euro, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për arsimin dhe mirëqenien e gjeneratave të reja.
Pas përurimit, Kurti vendosi gurthemelin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët në Fushë Kosovë, një investim i MAShTI-t me vlerë 3.9 milionë euro. Objekti me sipërfaqe prej 8,212 m² do të shërbejë për 1,500 nxënës, duke përfshirë 12 klasa për mësim fillor, gjashtë klasa për parashkollorë dhe shtatë laboratore me hapësira përcjellëse dhe zyra administrative.
Vizita në biznesin “Greenfungo” në Vushtrri
Kryeministri Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe zëvendësshefin e seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, vizitoi kompaninë “Greenfungo” në Vushtrri, e cila përfiton subvencion për panele solare për prodhim të energjisë për vetëkonsum.
Kurti vlerësoi përkushtimin e qeverisë për uljen e kostove operacionale të bizneseve dhe për mbështetjen e tyre në tregjet ndërkombëtare. Ministrja Rizvanolli shtoi se skemat e subvencioneve, mbështetur nga BE-ja, synojnë uljen e faturave të energjisë dhe shfrytëzimin maksimal të burimeve të ripërtërishme. Si rezultat i mbështetjes, shpenzimet e energjisë elektrike për biznesin janë ulur nga 30 deri në 50 për qind.
Rinovimi i ndërtesave sociale në Mitrovicë
Në Mitrovicë, kryeministri Kurti, ministrja Rizvanolli dhe përfaqësues të BE-së dhe komunës, përuruan rinovimet për efiçiencë energjetike të ndërtesave për banim social në Desi dhe Shipol. Në Desi jetojnë 24 familje me 116 banorë, ndërsa në Shipol 18 familje.
Kurti vuri në dukje se rinovimi i këtyre ndërtesave bën jetesën më të sigurtë, të ngrohtë dimrit dhe të freskët verës, duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe kursimin e energjisë elektrike. Projekti, mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Fondi për Efiçiencë të Energjisë, përfshin rinovimin e 28 ndërtesave të banimit social në të gjithë Kosovën, duke ndikuar pozitivisht në jetën e qindra familjeve.
“Kjo është politika jonë e përbashkët: shteti pranë qytetarëve, me projekte konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme dhe ofrojnë më shumë dinjitet për të gjithë,” deklaroi kryeministri Kurti gjatë vizitave.