Irani ka ofruar të rihapë Ngushticën e Hormuzit për shtatë ditë, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapa për uljen e presionit ushtarak, raportojnë mediat japoneze.
Sipas këtyre raportimeve, propozimi i Teheranit i është përcjellë tashmë Uashingtonit dhe përfshin edhe rifillimin e negociatave për përfundimin e luftës.
Teherani kërkon rifillimin e bisedimeve
Sipas propozimit, hapja e Ngushticës së Hormuzit do të mundësohej brenda shtatë ditëve nëse SHBA do të ndërmerrnin hapat e parë për lehtësimin e presionit ushtarak ndaj Iranit.
Teherani synon gjithashtu të shfrytëzojë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për t’u konsultuar me vendet që mund të luajnë rolin e ndërmjetësuesit në negociata.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një konfirmim publik nga Shtetet e Bashkuara për këtë propozim.
Trump pritet të takohet me liderë të Lindjes së Mesme
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë të martën në Nju Jork një takim me liderë të vendeve të Lindjes së Mesme.
Sipas mediave amerikane, në takim pritet të diskutohet situata në rajon dhe hapat e ardhshëm lidhur me konfliktin.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, takimi mund të jetë i rëndësishëm për vendimet e ardhshme të administratës amerikane.
Ditë më parë, Trump kishte deklaruar se ndodhej në një moment kyç dhe se duhej të merrte një vendim lidhur me situatën.

