Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhja Demokratike e Kosovës, duke bërë thirrje për qetësi, unitet dhe respektim të proceseve të brendshme partiake.
Mustafa theksoi se nuk ka dashur të përfshihet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor apo çështjet e lidershipit, duke vlerësuar se përgjegjësia për këto tema është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.
Ai kritikoi qasjet e bazuara në “tifozllëk” dhe propagandë, duke paralajmëruar se këto mund ta deformojnë demokracinë e brendshme dhe ta kthejnë Kuvendin e partisë në arenë përçarjeje – diçka që, sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e përballon më, duke pasur parasysh përvojat e kaluara.
Mustafa rikujtoi se LDK nuk duhet të identifikohet me individë të caktuar, përveç figurës historike të Ibrahim Rugova, dhe se partia duhet të mbetet mbi çdo emër personal.
Sipas tij, Kuvendi i LDK-së duhet të garantojë vazhdimësinë e partisë si një subjekt i qendrës së djathtë me orientim euroatlantik, duke u fokusuar në ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe jo në gara populiste.
Në fund, Mustafa bëri thirrje që reformat të udhëhiqen nga njerëz që i kanë qëndruar besnik partisë, por duke qenë të hapur edhe për prurje të reja, duke theksuar se në LDK “askush nuk është i tepërt” dhe se uniteti i brendshëm është kyç për ringritjen e saj politike.

