Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sërish fajtor ish-drejtorin e Agjencia Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, në rastin e njohur si “Gylenistët”.
Në rigjykim, Gashi është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, si dhe me dënim plotësues – ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për katër vjet pas vuajtjes së dënimit me burg.
Aktgjykimi dhe arsyetimi
Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, së bashku me anëtarët Medie Bytyqi dhe Leon Përlaska.
Sipas gjykatës, i akuzuari ka tejkaluar kompetencat zyrtare në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në mars të vitit 2018. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, shumica e seancave në rigjykim janë zhvilluar me dyer të mbyllura.
Gashi u obligua gjithashtu të paguajë 1 mijë euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët e dëmtuara janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë në procedurë civile.
Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm prokurorja Habibe Salihu-Statovci dhe avokati mbrojtës Driton Musliu, ndërsa i akuzuari mungoi.
Historia e rastit
Fillimisht, më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte dënuar Gashin me të njëjtën masë, ndërsa kishte liruar nga akuza dy të pandehurit e tjerë.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim vetëm për pikën që lidhej me Driton Gashin, ndërsa e vërtetoi lirimin nga akuza për Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shkurt 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Gashi, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të AKI-së, kishte tejkaluar kompetencat ligjore gjatë procesit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq – Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir, Mustafa Erden dhe Osman Karakoya.
Prokuroria pretendon se ai rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit me arsyetimin se paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare, pa u provuar kjo në një procedurë të rregullt ligjore. Po ashtu, sipas aktakuzës, ai nuk kishte njoftuar Presidentin, Kryeministrin dhe as Kryeprokurorin e Shtetit, siç parashihet me ligjin për AKI-në, dhe kishte përfshirë agjencinë në operacionin e dëbimit përtej kompetencave të saj.
Me këto veprime, ai akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 422 të Kodit Penal të Kosovës.
Rasti i “Gylenistëve” ka qenë një nga çështjet më të debatueshme në skenën politike dhe juridike në Kosovë, për shkak të mënyrës së dëbimit të shtetasve turq dhe implikimeve institucionale që pasuan.

