Izraeli ka ndërmarrë një “sulm parandalues” ndaj Iranit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa në të gjithë vendin është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ka bërë të ditur ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
Sipas autoriteteve izraelite, sulmi kishte në shënjestër raketat balistike dhe lëshuesit e tyre, të cilat konsiderohen një kërcënim serioz për sigurinë e vendit.
Raportimet e mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN, bëjnë të ditur se operacioni izraelit është koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar se edhe SHBA po kryejnë sulme ndaj objektivave në Iran, duke i përshkruar ato si operacione të rëndësishme dhe jo të kufizuara.
Pas sulmeve, autoritetet izraelite njoftuan mbylljen e menjëhershme të hapësirës ajrore të vendit si masë sigurie, ndërsa paralajmëruan për mundësinë e një kundërpërgjigjeje nga Irani me dronë dhe raketa balistike.
Komanda e Frontit të Brendshëm në Izrael ka urdhëruar gjithashtu kufizime të rrepta për qytetarët, duke ndaluar grumbullimet publike, aktivitetet jo thelbësore, shkuarjen në punë dhe zhvillimin e mësimit në shkolla.
Autoritetet theksuan se përjashtim nga këto masa do të kenë vetëm sektorët që konsiderohen kritikë për funksionimin e shtetit. Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i Teheranit ndaj sulmeve.

