Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë shënuar “progres të rëndësishëm”, duke lënë të kuptohet se Teherani po tregon gatishmëri më të madhe për një marrëveshje.
Në një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, Vance hodhi poshtë raportimet për një plan të mundshëm që rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit të transferohen në Rusi, duke theksuar se Uashingtoni nuk ka asnjë plan të tillë.
“Nuk e dimë nga vijnë këto raportime. Kjo çështje nuk është diskutuar në negociata,” deklaroi ai, duke shtuar se nëse një ide e tillë do të ekzistonte realisht, pala iraniane do ta kishte ngritur në tavolinë.
Vance tha se SHBA vazhdon të ndjekë dy skenarë në raport me Iranin, por e bëri të qartë se objektivi mbetet i pandryshuar: Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.
Sipas tij, rruga diplomatike ka prodhuar rezultate konkrete.
“Kemi bërë progres të madh përmes negociatave dhe Irani duket më i hapur për një marrëveshje,” u shpreh Vance.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ekziston edhe një alternativë tjetër nëse diplomacia dështon.
“Ekziston edhe opsioni B,” tha ai, duke iu referuar mundësisë së veprimeve ushtarake, teksa shtoi se SHBA preferon një zgjidhje diplomatike, por mbetet e përgatitur për çdo zhvillim.
Vance theksoi gjithashtu se brenda establishmentit iranian ka ende ndarje dhe paqartësi mbi drejtimin që duhet të marrë procesi negociues, çka sipas tij e bën situatën delikate dhe të paparashikueshme.
