Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga detyra, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga ish-kunati i saj.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili njoftoi se të premten e ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe e ka liruar atë nga detyra.
Në vend të tij, ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është caktuar Fehmi Hoti, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa është vlerësuar kontributi dhe angazhimi i Hoxhës gjatë mandatit të tij.
Suspendohen 11 policë dhe dy prokurore
Dorëheqja e Hoxhës vjen pas masave të ndërmarra lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.
Të enjten, 11 zyrtarë policorë në Pejë janë suspenduar nga puna. Në mesin e tyre janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, si dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës dhe katër hetues policorë.
Për të njëjtin rast janë pezulluar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Arlinda Zekaj u vra nga ish-kunati i saj, ndonëse, sipas raportimeve, më herët kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej.

