Sot, më 19 gusht, në Kamenicë nis programi i aktiviteteve të organizuara me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Metush Krasniqi.
Programi i sotëm nis në orën 10:00 me seancën solemne për 100-vjetorin e lindjes së Metush Krasniqit, e cila mbahet në Kuvendin e Komunës së Kamenicës.
Në orën 10:30, në sheshin “Metush Krasniqi”, do të zhvillohet homazhi dhe vendosja e kurorave në nderim të Heroit Kombëtar.
Në orën 11:00 vijon Akademia Përkujtimore, ku do të bëhet zbulimi i tabelës për emërtimin e sheshit “Metush Krasniqi”, si dhe do të prezantohen një ekspozitë dokumentare, çmimi i ndritur “Metush Krasniqi” dhe Pulla Postare.
Në orën 13:00, në Shtëpinë e Kulturës/Bibliotekën e Qytetit, mbahet Konkursi letrar dhe artistik.
Ndërkaq, në orën 19:00, në sheshin “Metush Krasniqi”, do të shfaqet dokumentari kushtuar figurës dhe veprimtarisë së Metush Krasniqit.
Programi përkujtimor vazhdon edhe nesër, më 20 gusht, në orën 20:00, me shfaqjen e bazuar në veprën e Enver Dugollit, “Qark i pambyllur burgjesh”, në sheshin “Metush Krasniqi”.
Aktivitetet synojnë të nderojnë figurën e Metush Krasniqit dhe të rikujtojnë kontributin e tij historik në 100-vjetorin e lindjes.

