Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të mërkurën, më 20 maj 2026, do të ketë ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa komuna të vendit, si pasojë e punimeve për mirëmbajtje, projekte investive dhe siguri të sistemit energjetik.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të prekin zona në Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjakovë dhe Gjilan.
Në Prishtinë, ndërprerje më të gjata priten në disa zona qendrore nga ora 09:00 deri në 18:00, përfshirë Qendrën, Kuvendin, Pallatin e Rinisë, Dardaninë, Dodonën, Shaip Kamberin, Ibrahim Banushin dhe rrugë të tjera kryesore, për shkak të projekteve investive në rrjet. Ndërkohë, edhe zona si Keqekolla, Prapashtica, Hajkobilla dhe Dabishevci do të mbesin pa energji nga 10:00 deri 15:30.
Në Pejë, ndërprerjet do të prekin pjesë të qytetit dhe disa fshatra si Bellopojë, Raushiq, Kastrat, Dobërdol, Leshan, Gllaviqicë, Qyshk dhe Zahaq, kryesisht për shkak të shkyçjeve teknike dhe mirëmbajtjes.
Në Prizren, pa rrymë do të mbesin zona si Zhuri, Vlashnja, Poslishta, Hoqa e Qytetit, Billusha, si dhe fshatrat Pllanjan dhe Stajkoc.
Në Ferizaj, ndërprerje do të ketë në Kaçanik, Han të Elezit, Lipjan, si dhe disa lagje e rrugë kryesore në qytet për shkak të zhvendosjes së kabllove dhe mirëmbajtjes së rrjetit.
Në Gjakovë, ndërprerjet do të përfshijnë një numër të madh fshatrash si Cermjani, Bardhaniqi, Rashkoci, Denja, Ratkoci, si dhe disa zona të Rahovecit.
Ndërsa në Gjilan, ndërprerja është planifikuar në disa pjesë të qytetit dhe fshatra si Malishevë, Bukovik, Capar dhe Vërbicë e Kmetocit.
KEDS ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se punimet janë të domosdoshme për stabilitetin dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

