Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia A4 e Termocentrali Kosova A do t’i nënshtrohet remontit të rregullt vjetor, proces që nis sonte në mesnatë në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes.
Sipas njoftimit të KEK-ut, ndalimi i njësisë do të realizohet në mënyrë të planifikuar dhe të kontrolluar, duke filluar nga ora 00:00, në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative.
Kompania bën të ditur se ekipet profesionale dhe teknike kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme, ndërsa pas krijimit të kushteve teknike në terren do të fillojnë punimet për inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore të njësisë.
Sipas KEK-ut, qëllimi i remontit është rritja e besueshmërisë operative, përmirësimi i performancës teknike dhe sigurimi i funksionimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës.
“Remonti vjetor i njësisë A4 përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KEK-ut për ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin”, thuhet në njoftim.
KEK ka theksuar se, paralelisht me projektet e modernizimit që po zhvillohen në Termocentrali Kosova B, do të vazhdojë edhe me aktivitetet e rregullta të mirëmbajtjes në njësitë e Termocentralit Kosova A, me synimin për të garantuar operim të sigurt, efikas dhe afatgjatë të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.

