Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës po përshkallëzohen sërish në frontin lindor. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka njoftuar se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar gjithsej 40 dronë ukrainas gjatë natës, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore TASS.
Sipas autoriteteve ruse, dronët janë rrëzuar në disa rajone të vendit, duke përfshirë zonat pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa Moska e ka cilësuar këtë valë sulmesh si “përpjekje të koordinuara të Kievit për të goditur objektet strategjike të energjisë”.
Nga ana tjetër, Kievi nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për pretendimet e Rusisë. Megjithatë, një ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori pjesë online në samitin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku përsëriti kërkesën drejtuar presidentit amerikan Donald Trump për t’i siguruar raketat Tomahawk – armë që Ukraina i ka kërkuar prej kohësh për mbrojtje dhe goditje precize.
Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje të avancuar ushtarake për të përballuar sulmet e vazhdueshme të ushtrisë ruse, ndërsa Trump, deri më tani, është shprehur skeptik për dërgimin e këtyre raketave.
Në këtë sfond të tensionuar, analistët vlerësojnë se situata mes Moskës dhe Kievit po hyn në një fazë të re – ku lufta për energjinë dhe furnizimet strategjike po bëhet po aq e rëndësishme sa ajo në terren.

