Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nëse partia e tij arrin të sigurojë mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, Kosova nuk do të përballet me zgjedhje të reja deri në vitin 2030.
Në një deklaratë për media, Konjufca tha se vendimin për stabilitetin politik do ta japin qytetarët përmes votës së tyre, duke lënë të kuptohet se një mandat i fuqishëm për VV-në do të eliminonte mundësinë e krizave të reja politike.
“Këtë përgjigje e jep populli më 7 qershor. Nëse VV i merr mbi 51 për qind, nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2030”, deklaroi ai.
Duke folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Konjufca theksoi se kjo nuk është përgjegjësi e Qeverisë, pasi presidenti përfaqëson një pushtet të ndarë nga ekzekutivi.
“Kjo nuk është çështje e qeverisë, qeveria nuk e zgjedh presidentin. Sa i përket çështjeve të qeverisë, ne kemi votuar me 66, krejt i kemi votuar ato që na ka dhënë populli”, u shpreh Konjufca.
Deklarata e tij vjen në një periudhë tensionesh politike dhe fushate zgjedhore, ku subjektet politike po ashpërsojnë qëndrimet për të siguruar mbështetjen e elektoratit para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Dukagjini

