Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekretuar Ligjin Nr. 11/L-016 për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026–2027.
Ligji është dekretuar më 20 tetor dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare, raporton IndeksOnline.
Marrëveshja parasheh mbështetje financiare të BE-së për Kosovën përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA), i cili synon të ndihmojë vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës të 25 shtatorit, vendi pritet të përfitojë 258 milionë euro përmes programit IPA 2026–2027.
Këto mjete synojnë të mbështesin reformat dhe zhvillimin institucional, si dhe përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Programet IPA financojnë projekte dhe reforma në fusha të ndryshme, përfshirë forcimin e institucioneve, përmirësimin e qeverisjes dhe përafrimin e legjislacionit dhe standardeve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian.

