Kosova është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Transparencës Fiskale 2025 të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke u renditur si vendi i 35-të në botë ndër 71 shtete që kanë përmbushur kriteret minimale të transparencës fiskale.
Raporti, i hartuar në përputhje me seksionin 7031(b)(2) të Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, analizon periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024 dhe vlerëson gjithsej 139 qeveri. Nga to, 71 vende – përfshirë Kosovën – plotësuan kërkesat, ndërsa 69 të tjera dështuan, megjithëse 26 shënuan përparim të konsiderueshëm.
Kosova dhe Ballkani në raport
Kosova shfaqet krah vendeve të tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia, të cilat gjithashtu u vlerësuan si transparente në menaxhimin e financave publike. Raporti thekson se këto shtete kanë siguruar publikimin e dokumenteve kryesore buxhetore, funksionimin e institucioneve supreme të auditimit sipas standardeve ndërkombëtare dhe transparencën në kontratat e prokurimit publik.
Pse është e rëndësishme transparenca fiskale?
Departamenti i Shtetit e cilëson transparencën fiskale si një element kyç për qeverisje të mirë, parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e stabilitetit ekonomik. Publikimi i të dhënave mbi buxhetet, borxhin shtetëror dhe kontratat publike rrit llogaridhënien, besimin qytetar dhe ndihmon në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në nivel global, Kosova dhe vendet e Ballkanit përmenden si shembuj pozitivë të transparencës fiskale për vitin 2025, duke u renditur krahas vendeve të BE-së dhe rajoneve të tjera që kanë avancuar në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Burimi: Raporti i Transparencës Fiskale 2025 – Lexo raportin e plotë këtu