Në një natë magjike në Stadionin “Stozhice” të Ljubljanës, Kosova shënoi një nga fitoret më të rëndësishme në historinë e saj, duke mposhtur Slloveninë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e nëntë të raundit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Heroi i parë i ndeshjes ishte Fisnik Asllani, i cili që në minutën e 6-të gjeti rrugën e rrjetës pas një aksioni të shkëlqyer të kombëtares sonë. Goli i dytë erdhi në pjesën e dytë, kur në minutën e 64-të, pas një asistimi nga Florent Muslija, mbrojtësi slloven Žan Karničnik e devijoi topin në portën e tij, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0-2.
Sllovenia mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 53-të, kur Petar Stojanoviq u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli ndaj Qëndrim Gashit. Kosova e menaxhoi në mënyrë perfekte pjesën e mbetur të lojës, duke mos lejuar asnjë rrezik serioz ndaj portës së Leonit Saipi, i cili ishte në formë të shkëlqyer.
Trajneri Franco Foda e udhëhoqi ekipin drejt një fitoreje dominuese, duke bërë disa zëvendësime strategjike në pjesën e dytë — Milot Rashica, Florent Muslija dhe Elvis Rexhbecaj dhanë freski e siguri në mesfushë, ndërsa Muriqi dhe Asllani mbajtën presionin mbi mbrojtjen kundërshtare.
Kjo fitore i jep Kosovës tre pikë të arta dhe e mban me gjallë shpresën për kualifikim historik në Kupën e Botës 2026.
Rezultati përfundimtar:
🇸🇮 Sllovenia 0 – 2 Kosova 🇽🇰
⚽ Asllani 6’, Karniçnik (autogol) 64’
Kartona:
🔴 Stojanoviq (Slloveni) 53’ – karton i kuq
🟨 Dellova (Kosovë), Shturm (Slloveni)
Stadiumi: Stozhice, Ljubljana
Gjyqtari: në detyrë nga UEFA

