Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur afatet për partitë politike lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë janë të obliguara që brenda periudhës nga 1 deri më 7 maj të njoftojnë institucionin për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen në zgjedhje.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike të regjistruara dhe aktive, ndërsa nuk përfshin nismat qytetare apo kandidatët e pavarur.
Po ashtu, deri më 7 maj është edhe afati për partitë që synojnë të garojnë në formë koalicioni. Sipas legjislacionit në fuqi, një koalicion duhet të përbëhet nga të paktën dy parti politike dhe, pasi të certifikohet, asnjë parti nuk mund të tërhiqet deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Gjithashtu, një parti që është pjesë e një koalicioni nuk mund të garojë njëkohësisht si subjekt i vetëm apo në një koalicion tjetër.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në Kosovë kanë marrë pjesë dhjetëra subjekte politike, përfshirë parti, koalicione, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur, duke reflektuar një skenë politike të fragmentuar dhe dinamike.

