Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.M., nga komuna e Ferizajt, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në periudhën nga muaji shtator deri më 27 tetor 2025, rreth orës 02:00 pas mesnate, në banesën e tij në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht në mënyrë të vazhdueshme një të mitur 14-vjeçare.
Prokuroria e ka kualifikuar këtë rast si vepër penale “Dhunimi” në vazhdimësi, në bazë të nenit 227, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 4 nënparagrafi 4.7, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri F.M. ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit, për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të procedurës penale dhe për të parandaluar ndikimin në dëshmitarë ose përsëritjen e veprës.
Institucionet e drejtësisë kanë konfirmuar se hetimet për këtë rast janë në zhvillim dhe se Prokuroria do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

