Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e tetë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i mbajtur në Jerevan, ku ka theksuar përkushtimin e vendit për integrim euroatlantik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë samitit, Kurti ka qenë pjesë e dy paneleve kryesore, “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats”, ku janë diskutuar sfidat e sigurisë, lufta kundër narkotikëve dhe kërcënimet hibride ndaj demokracive.
Në margjinat e këtij organizimi, ai ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, si dhe kryeministra të vendeve evropiane si Andrej Plenković, Luc Frieden dhe Petteri Orpo.
Gjithashtu, ai ka takuar edhe figura të tjera ndërkombëtare, përfshirë Princin Albert II dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, me të cilin Kosova synon të thellojë marrëdhëniet diplomatike.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e vendosur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e konsideruar këtë si domosdoshmëri strategjike për stabilitetin, sigurinë afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rajonit. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për njohje të mëtejshme ndërkombëtare dhe avancimin e statusit të Kosovës në vend kandidat për anëtarësim në BE, mbi bazën e meritës dhe përputhjes së plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

