Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi një drekë pune me shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, sidomos në rrugëtimin e vendit drejt integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ai gjithashtu vlerësoi rritjen e ndihmës që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës, përmes programeve të ndryshme si LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Luksemburgut, e cila kontribuon në projekte të rëndësishme në fusha si arsimi, energjia dhe teknologjia.
Ky takim vjen në një moment kur dy vendet synojnë thellimin e marrëdhënieve dhe avancimin e bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës.