Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij, gjatë mbledhjes së parë të kolegjiumit me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive në vend.
Në takimin e mbajtur të martën në Prishtinë morën pjesë edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Gashi theksoi se institucionet e drejtësisë duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, ndër prioritetet kryesore janë zhvillimi i hetimeve financiare paralelisht me hetimet penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe veprave të tjera të rënda penale.
Ai gjithashtu ka renditur si prioritete rritjen e sigurisë së qytetarëve, luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, mbrojtjen e pronës, sigurinë ekonomike dhe juridike të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Në fokus të mandatit të tij do të jenë edhe mbrojtja e integritetit të hetimeve dhe e të dhënave personale, si dhe zbatimi i një politike më rigoroze ndëshkimore ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në komunikacion.
Një tjetër objektiv i shpallur nga Gashi është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili do të analizojë aktakuzat e kthyera nga gjykatat, aktgjykimet liruese, dështimet procedurale, vërejtjet e gjykatave dhe praktikën gjyqësore, me synim ngritjen e cilësisë së punës së prokurorive.
Po ashtu, ai paralajmëroi krijimin e një mekanizmi të brendshëm institucional për mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e padrejta gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe forcimin e komunikimit të brendshëm institucional dhe respektimin e vijës hierarkike.
“Këto çështje janë nevojë e kohës dhe synojnë rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.
Kryeprokurori u ka kërkuar të gjitha prokurorive të shkallës së parë që, brenda një afati të arsyeshëm, t’i dorëzojnë Zyrës së Kryeprokurorit një plan fillestar për zbatimin e prioriteteve të përcaktuara.
Gjatë takimit u diskutua edhe për gjendjen aktuale në prokurori, përfshirë trajtimin e lëndëve të vjetra, efikasitetin në procedimin e rasteve, lëndët me interes të lartë publik, sfidat kryesore dhe zbatimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).
Në përmbyllje, Gashi garantoi mbështetje institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjithë kryeprokurorët dhe prokurorët në vend, me synim luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

