Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të hënën, më 2 nëntor, duke filluar nga ora 11:00, në sallën C-301.
Sipas agjendës së publikuar, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare.
Në mesin e pikave të propozuara janë tri projektligje që pritet të shqyrtohen në lexim të parë:
- Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave;
- Projektligji për Regjistrimin e Bujqësisë;
- Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, në agjendë është përfshirë shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për auditimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në këto komisione.
Në rend dite janë përfshirë gjithashtu deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

