Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë, masa është marrë bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, të cilat pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Kufizimi nga ora 11:00 deri në 17:30
Kufizimi i qarkullimit në autoudhë do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të lejohet pa kufizime.
Nga kjo masë përjashtohen:
- automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- automjetet e shërbimeve emergjente;
- automjetet e institucioneve shëndetësore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë udhëtimet në përputhje me orarin e përcaktuar, për të shmangur pengesat në qarkullim.

