Albin Kurti ka bërë homazhe te varret e heronjve të kombit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 28-vjetorin e rënies së tyre.
Homazhet u mbajtën në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku Kurti vlerësoi kontributin dhe sakrificën e dy heronjve për çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, Konushevci dhe Malaj ishin të pandashëm në idealin dhe angazhimin për lirinë e popullit shqiptar dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj nuk u ndanë asnjëherë nga njëri-tjetri. E kishin idealin e njëjtë, punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë theksoi rolin e Ilir Konushevcit në organizimin logjistik dhe furnizimin e luftës çlirimtare, duke e quajtur atë “shpirt të logjistikës dhe ngritjes së luftës”.
Ai tha se zhvillimi i sotëm i Forca e Sigurisë së Kosovës është një mënyrë për të nderuar sakrificën e dëshmorëve.
“Kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës me armatimin dhe municionin modern, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj dëshmorëve të kombit”, u shpreh Kurti.
Ai përmendi edhe barrën që, sipas tij, Konushevci mbajti pas vrasjes së komandantit Zahir Pajaziti, duke theksuar se sakrifica dhe angazhimi i tij duhet të shërbejnë si shembull për brezat e rinj.
“Sakrifica e tij dhe lufta e paepur që bëri duhet të mësohet nga brezat e rinj se si duhet atdheu”, tha Kurti.
Në fund të homazheve, ai bëri nderime për të gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit shqiptar.

