Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar sonte një takim rreth tri orë, ku në qendër të diskutimeve ishte zgjedhja e Presidentit të Kosovës.
Pas përfundimit të takimit, Kurti e përshkroi diskutimin si të sinqertë, serioz dhe të hapur, duke bërë të ditur se dialogu me LDK-në do të vazhdojë.
Për herë të parë, sipas Kurtit, palët kanë diskutuar edhe emra konkretë për postin e Presidentit.
“Diskutimi ishte i sinqertë, serioz dhe i hapur. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi. Është hera e parë që kemi diskutuar me emra të përveçëm”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se udhëzimet e dakorduara në takimin e mëparshëm janë bashkëngjitur me emrat e diskutuar, duke e cilësuar këtë si “hap të rëndësishëm përpara”.
Kurti: Emrat nuk janë kontaktuar paraprakisht
Kurti tha se procesi mbetet i vështirë dhe se diskutimi për kandidaturat kërkon shqyrtim të argumenteve dhe qëndrimeve të të gjitha palëve.
Ai sqaroi gjithashtu se personat emrat e të cilëve janë diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të marrë pëlqimin e tyre.
“Nuk janë emra që ne i kemi pyetur paraprakisht se a do të pranojnë, sepse paraprakisht ne duhet të dakordohemi mes vete”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike mes palëve dhe vetëm më pas të kontaktohen kandidatët e mundshëm.
Bisedimet do të vazhdojnë
Kreu i Vetëvendosjes theksoi se procesi do të zhvillohet me transparencë, por njëkohësisht kërkoi ruajtjen e konfidencialitetit të diskutimeve ndërmjet partive.
Në fund, Kurti falënderoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, presidenten Vjosa Osmani dhe Lutfi Hazirin për seriozitetin, sinqeritetin dhe qasjen e treguar gjatë takimit.
Takimi i sotëm shënon një zhvillim të ri në përpjekjet për gjetjen e një formule politike për zgjedhjen e Presidentit, pasi deri tani diskutimet ishin fokusuar kryesisht te profili dhe kriteret, ndërsa tash palët kanë kaluar në diskutimin e kandidaturave konkrete.
