Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ekipit të tij i është bashkuar Shqipe Mjekiqi, e cila do të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Mjekiqi, e njohur edhe për angazhimin e saj politik si ish-nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tashmë do të jetë pjesë e ekipit të Kurtit në një rol këshillues për çështje strategjike.
Përmes një njoftimi, Kurti tha se me të kanë diskutuar për prioritetet kryesore të Kosovës, përfshirë integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, zhvillimet politike në vend e rajon, si dhe çështjet e sigurisë.
“Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti.
Ai ka veçuar profilin e saj akademik, duke theksuar se Mjekiqi ka përfunduar doktoraturën në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, masterin për politikat e Bashkimit Evropian në London School of Economics, si dhe studimet bazë në Universitetin e Prishtinës.
Sipas Kurtit, ajo ka përvojë të gjatë në institucionet publike të Kosovës, sidomos në fushat e integrimit evropian dhe sigurisë.
Aktualisht, Shqipe Mjekiqi është profesoreshë asistente në Kolegjin UBT dhe e angazhuar si konsulente në projekte që lidhen me zhvillimin dhe reformat në Kosovë.
