Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte rendin juridik ndërkombëtar që vetë Ukraina po mbron përballë agresionit rus.
Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase Kyiv Post, Kurti ka kundërshtuar paralelizmat e ngritur nga presidenti rus, Vladimir Putin, ndërmjet pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Kryeministri ka rikujtuar deklaratën e Zelenskyt të 8 gushtit në Beograd, ku presidenti ukrainas kishte thënë se qëndrimi i vendit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Ajo që spikati ishte se kjo deklaratë u bë në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë, një prej aleateve më të ngushta të Rusisë”, shkroi Kurti.
Kurti: Njohja e Kosovës do ta forconte rendin ndërkombëtar
Sipas kryeministrit, njohja e Kosovës nga Ukraina nuk duhet të konsiderohet si një favor diplomatik ndaj Prishtinës, por si një akt në mbrojtje të parimeve ndërkombëtare.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një gjë e tillë do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka vite që mbron: një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendeve më të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga shtetet më të mëdha”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kujtuar se Kosova, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ka dënuar agresionin e Moskës, është harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ka strehuar gazetarë ukrainas dhe ka kontribuar me ndihmë ushtarake e trajnime.
Në anën tjetër, Kurti ka kritikuar afrimin e Kievit me Beogradin, duke nënvizuar se Serbia, pavarësisht mbështetjes së disa rezolutave të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus, vazhdon të mos u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Kosova dhe Krimea, dy raste të ndryshme historike dhe juridike
Një pjesë të rëndësishme të opinionit të tij, Kurti ia ka kushtuar kundërshtimit të argumenteve të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në disa raste i është referuar pavarësisë së Kosovës për të justifikuar veprimet e Rusisë në territoret ukrainase.
Sipas Kurtit, rasti i Kosovës nuk mund të përdoret për të legjitimuar aneksimin e Krimesë apo pretendimet territoriale të Rusisë ndaj rajoneve të tjera të Ukrainës.
“Kosova nuk është precedent i Putinit”, ka theksuar kryeministri.
Kurti ka argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë historik dhe politik, të karakterizuar nga represioni ndaj shqiptarëve, lufta, spastrimi etnik dhe negociatat ndërkombëtare për përcaktimin e statusit përfundimtar.
Në këtë kontekst, ai ka kundërshtuar përpjekjet e Moskës për të barazuar procesin e pavarësimit të Kosovës me aneksimin e territoreve ukrainase.
“Krimea është Ukrainë dhe Kosova është Kosovë”, ka theksuar Kurti.
Në Ukrainë vazhdojnë diskutimet për njohjen e Kosovës
Ukraina deri më tani nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e argumentuar qëndrimin e saj me respektimin e parimit të integritetit territorial dhe shqetësimin se një njohje e tillë mund të instrumentalizohet nga Rusia.
Megjithatë, brenda skenës politike ukrainase ekzistojnë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin e Ukrainës, Oleksandr Merezhko, kishte deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se personalisht është skeptik ndaj argumenteve që kundërshtojnë njohjen e Kosovës.
Sipas tij, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa vendimi përfundimtar për këtë çështje i takon presidentit Zelensky.
Qëndrimi i Zelenskyt kishte nxitur reagime në Kosovë, Shqipëri dhe Ukrainë
Deklarata e presidentit ukrainas në Beograd gjatë muajit gusht kishte shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë, Tiranë dhe Kiev.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, kishte shprehur keqardhje për qëndrimin e Ukrainës, duke ritheksuar se Kosova vazhdon ta mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit ukrainas.
Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë kishte kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e rastit të Kosovës me situata të tjera ndërkombëtare.
Kritika ndaj Zelenskyt kishte pasur edhe brenda Ukrainës. Deputeti opozitar Oleksiy Goncharenko e kishte cilësuar deklaratën e presidentit si një gabim diplomatik, duke kërkuar që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Qëndrimin e Zelenskyt e kishte kundërshtuar edhe veterani ukrainas i luftës, Yurii Hudymenko, i cili kishte rikujtuar solidaritetin dhe mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas që nga fillimi i agresionit rus.
Përmes opinionit të publikuar në Kyiv Post, Kurti ka rikthyer çështjen e njohjes së Kosovës në debatin publik ukrainas, duke kërkuar që Kievi ta rishqyrtojë qëndrimin e tij dhe të bëjë dallimin ndërmjet procesit të pavarësimit të Kosovës dhe aneksimit të territoreve ukrainase nga Rusia.
Burimi: Radio Evropa e Lirë

