Kryeministri Albin Kurti e ka shfrytëzuar mbledhjen e tretë të Qeverisë së re për t’u ndalur në tri çështje kryesore: marrëveshjen e subjekteve shqiptare të Luginës së Preshevës për një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi, aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe krizën institucionale lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Në nisje të mbledhjes, Kurti foli për marrëveshjen e arritur një ditë më parë ndërmjet subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja për garim të përbashkët në zgjedhjet parlamentare serbe të 25 tetorit.
Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm politik dhe tha se bashkimi në listën “Koalicioni Shqiptar” synon të forcojë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Kurti riktheu edhe propozimin e tij për përfaqësim të garantuar parlamentar, duke e krahasuar atë me ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kosovë.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 ulëse nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Republikës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, tha Kurti.
Ky është një propozim politik i kryeministrit dhe nuk paraqet një dispozitë të sistemit aktual zgjedhor të Serbisë.
Kurti: Në New York ngritëm çështjen e Hagës
Duke folur për vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara, Kurti tha se në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka zhvilluar takime me liderë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, si dhe me përfaqësues të mërgatës shqiptare në New York.
Sipas tij, gjatë takimeve janë diskutuar çështje të sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, zhvillimit dhe të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, ndërsa një prej temave kryesore ka qenë aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kurti e përsëriti qëndrimin e tij se aktgjykimi është i padrejtë dhe tha se procesi ende nuk ka përfunduar, pasi vendimi mund të ankimohet.
“Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, u shpreh ai.
Kurti tha se gjatë takimeve në New York ka kërkuar që Kosova të koordinojë veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike lidhur me këtë çështje.
Më 28 shtator, Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklarata ishte harmonizuar nga grupet parlamentare të VV-së, PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Grupit Multietnik.
Kurti e cilësoi këtë deklaratë si një hap të parë të përbashkët institucional dhe kërkoi që veprimet e ardhshme të bashkërendohen me ekipet mbrojtëse dhe ekspertë të fushës.
“Kemi edhe gjashtë ditë për zgjedhjen e presidentit”
Pjesën më të madhe të adresimit, Kurti ia kushtoi situatës institucionale dhe procesit të zgjedhjes së presidentit.
Ai tha se, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendi ndodhet në një afat të ngushtë dhe se kanë mbetur gjashtë ditë për arritjen e një zgjidhjeje.
“Para nesh, pos sot, kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit President ose Presidente të re”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke deklaruar se ajo, sipas tij, është shkelur nga gjashtë deputetë të kësaj partie.
Kurti bëri thirrje për rikthim në dialog ndërmjet subjekteve politike dhe deklaroi se zgjedhjet e reja mund të shmangen përmes një marrëveshjeje dhe zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi.
“Këto zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të kushtueshme e me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme”, tha kryeministri.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Nëse në dy votimet e para nuk arrihet shumica prej dy të tretave, në votimin e tretë fituesi duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve; në rast të dështimit edhe në këtë votim, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja.
Kurti argumentoi se zgjedhjet parlamentare nuk do ta zgjidhnin drejtpërdrejt çështjen e presidentit, pasi presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Ai paralajmëroi se një tjetër proces zgjedhor do të sillte një periudhë të re paqartësie institucionale.
“Kuvendi dhe Qeveria duhet të funksionojnë”
Në adresimin e tij, Kurti kërkoi që Kuvendi të vazhdojë funksionimin në mënyrë që të përmbushen edhe detyrimet e tjera shtetërore.
Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional për të vazhduar punën në ekonomi, projekte dhe detyrimet ndërkombëtare.
“Qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi, ndërsa kanë nevojë për institucionet që vazhdojnë punën, për ekonomi që vazhdon të rritet, për projekte që ecin përpara”, deklaroi Kurti.
Në fund, kryeministri u kërkoi anëtarëve të Qeverisë që të vazhdojnë punën në rendin e ditës, duke theksuar se mbledhja e tretë e këtij kabineti përmban 35 pika, kundrejt 26 pikave të mbledhjes së kaluar.
