Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37.429 libra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Sipas Kurtit, librat janë shpërndarë për 3.686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në klasën e tetë.
“Për vitin shkollor 2026/2027, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë shpërndarë 37.429 libra në gjuhën shqipe dhe të gjuhëve të huaja për 3.686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të tetën”, ka shkruar Kurti.
Ai ka pretenduar se në janar dhe prill të këtij viti, Serbia kishte bllokuar dhe refuzuar mjetet e Qeverisë së Kosovës të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Pavarësisht kësaj, Kurti tha se mbështetja për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të vazhdojë.
“Ne do të jemi pranë secilit nxënës e secilës nxënëse në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës, që nga viti 2022, mbështet pajisjen e nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës me libra falas.
“Këtë përkushtim po e vazhdojmë edhe këtë vit, sepse fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e pengesave të pamerituara e diskriminimit nga Beogradi”, ka shkruar ai.
Në fund, Kurti ka theksuar se mbështetja për arsimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të vazhdojë.
“Mbështetja jonë për arsimin në gjuhën shqipe është e qëndrueshme. Shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm”, ka përfunduar Kurti.

