Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në natën finale të Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”, i shoqëruar nga ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, si dhe përfaqësues lokalë e të organizatave të dala nga lufta.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti theksoi se dëshmorët e kombit janë “në themelet e shtetit dhe në rrënjët e lirisë”, duke nënvizuar se kujtimi për ta mbetet pjesë e pandashme e identitetit shoqëror.
Ai e cilësoi turneun jo vetëm si aktivitet sportiv, por edhe si akt kujtese dhe mirënjohjeje për sakrificën e brezave të mëparshëm.
“Ky turne është më shumë se sport. Është dëshmi që sakrifica vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive dhe se vlerat e shëndosha duhet të përcillen te brezat e rinj,” tha Kurti.
Kryeministri në detyrë bëri thirrje për angazhim më të madh të rinisë në sport, duke e cilësuar futbollin si një nga mënyrat më efektive për të larguar të rinjtë nga pasiviteti dhe varësia nga rrjetet sociale.
Sipas tij, sporti ndihmon në disiplinë, bashkëpunim dhe edukim shoqëror, duke krijuar edhe frymë gare dhe respekti mes kundërshtarëve.
Kurti përmendi edhe pjesëmarrjen e një sportisti 72-vjeçar, duke e cilësuar si shembull frymëzues të përkushtimit ndaj sportit dhe jetës aktive.
Ai siguroi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë iniciativat sportive në të gjitha nivelet, me fokus të veçantë te rinia dhe zhvillimi i sportit bazë.
“Sporti na bashkon dhe na mëson të fitojmë me dinjitet dhe të humbim me respekt,” tha ai, duke uruar finalen dhe ekipet pjesëmarrëse.
Turneu “Java e Dëshmorëve të Hasit” konsiderohet një nga aktivitetet tradicionale sportive dhe përkujtimore në rajon, i cili kombinon sportin me nderimin e figurave të luftës çlirimtare.

