Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se paga minimale në vend është rritur në 500 euro, duke theksuar se kjo rritje përfshin rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti kujtoi se paga minimale në Kosovë nuk kishte ndryshuar për më shumë se një dekadë, duke mbetur në nivelin 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë, që nga viti 2011.
Ai theksoi se gjatë qeverisjes aktuale paga minimale është rritur disa herë: fillimisht në 250 euro, më pas në 350 euro, më vonë në 425 euro, dhe së fundi në 500 euro.
Sipas tij, kjo përbën një trefishim të pagës minimale brenda më pak se një mandati qeverisës, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.
Kurti shtoi se rritja ekonomike e vendit do të shoqërohet gjithmonë me rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët, duke uruar përfituesit e kësaj rritjeje.

