Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë drejt dhënies së statusit të vendit kandidat Kosovës dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, duke theksuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit.
Pas pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Bruksel, Kurti ka bërë të ditur se ka kërkuar një mesazh uniteti nga liderët evropianë për avancimin e procesit integrues të Kosovës.
“Kërkova që nga ky samit të dalë një mesazh uniteti, në mënyrë që Këshilli t’i kërkojë më në fund Komisionit të na dërgojë pyetësorin dhe të japë opinionin për aplikimin tonë për anëtarësim. Muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga aplikimi”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti: Progresi i Kosovës e meriton statusin kandidat
Kryeministri ka argumentuar se përparimi i Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike dhe lirive civile duhet të reflektohet në vendimmarrjen e institucioneve evropiane.
“Progresi ynë e meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur gjithashtu zhvillimin ekonomik të vendit, duke bërë të ditur se, sipas tij, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 4.7 për qind.
Kurti ka nënvizuar mbështetjen e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian, si dhe harmonizimin e vendit me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të BE-së, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kurti kërkon ndryshim të dinamikës së zgjerimit të BE-së
Duke iu referuar vonesave në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, kryeministri ka theksuar se tashmë është koha që Bashkimi Evropian të ndryshojë dinamikën e procesit të zgjerimit.
“Para një dekade e ca kishte lodhje nga zgjerimi, e tani ka lodhje nga moszgjerimi. Është koha që kjo të ndryshojë”, ka përfunduar Kurti.
Deklarata e kryeministrit vjen pas Samitit të Brukselit, ku liderët evropianë riafirmuan perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke kërkuar përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të nevojshme për avancimin e procesit integrues.

