Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në New York një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në njoftimin e tij pas takimit, Kurti tha se ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për çështjen e sulmit në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas Kurtit, ai ka kërkuar që BE-ja t’i bëjë trysni Serbisë për t’i sjellë para drejtësisë Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur që morën pjesë në sulmin në Banjskë.
“Millën Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka deklaruar Kurti.
Një tjetër temë e diskutimit, sipas tij, ishte aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Kurti tha se ka shprehur shqetësimin për dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar procesin si jo plotësisht transparent dhe duke theksuar se procedura gjyqësore ende nuk ka përfunduar.
“Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit”, tha Kurti.
Në deklaratën e tij, ai e paraqiti luftën e UÇK-së si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, dëbimeve dhe krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës, ndërsa tha se shumë prej këtyre krimeve ende nuk janë ndëshkuar.
Kurti ngre edhe çështjen e Luginës së Preshevës
Në takim është diskutuar edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kurti tha se ka ngritur para Kallasit çështjen e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike të Serbisë dhe pasivizimin e adresave, të cilin e përshkroi si “spastrim etnik administrativ”.
Ai përmendi gjithashtu çështjen e të drejtave të shqiptarëve dhe kërkoi që këto çështje të mbeten pjesë e angazhimit të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.
Kurti kërkon statusin kandidat për Kosovën
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe perspektiva evropiane e Kosovës.
Ai deklaroi se Kosova është e orientuar në mënyrë strategjike drejt integrimit evropian dhe euroatlantik dhe se është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Kurti tha se një nga hapat që, sipas tij, do të duhej të ndërmerrte Brukseli është dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, u shpreh Kurti.
Kaja Kallas ndodhet në New York gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ka zhvilluar një seri takimesh me partnerë ndërkombëtarë. Sipas agjendës së publikuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, gjatë kësaj jave ajo po trajton ndër të tjera luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme, sigurinë dhe llogaridhënien ndërkombëtare.
Takimi Kurti–Kallas u zhvillua në prag të trevjetorit të sulmit në Banjskë, ndërsa Kurti po zhvillon një seri takimesh dypalëshe në New York në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

