Kurti tha se takimi ishte serioz dhe se palët diskutuan gjerësisht për kriteret që duhet të përmbushë personi që do të zgjidhet president ose presidente e vendit.
“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re, nga shumë kënde dhe disa rrafshe. Por, në veçanti, sa i përket vlerave dhe kontributeve në shoqëri, për kombin mbarë”, tha Kurti.
Ai e cilësoi zgjedhjen e presidentit si një vendim tejet të rëndësishëm dhe proces të ndjeshëm, duke bërë të ditur se pas takimit palët do t’u drejtohen strukturave të tyre për konsultime të brendshme.
Sipas Kurtit, pas këtyre konsultimeve pritet që LVV-ja dhe LDK-ja të zhvillojnë një tjetër takim me synimin për të arritur marrëveshje.
“Edhe pas këtij takimi, kemi nevojë të kthehemi te subjektet tona përkatëse politike, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultime të brendshme e të ritakohemi, ashtu që të merremi vesh”, deklaroi ai.
Nuk është diskutuar asnjë emër
Kurti theksoi se në takimin me LDK-në nuk është diskutuar ndonjë kandidat konkret për president.
Sipas tij, diskutimi është përqendruar vetëm te standardet, vlerat dhe kriteret që duhet të ketë personi që do të marrë këtë detyrë.
“Nuk janë në radhë të parë interesat e ngushta e as ambiciet, por kemi vullnet dhe përgjegjësi shtetërore”, tha Kurti.
Në fund, kreu i LVV-së u shpreh optimist se mirëbesimi ndërmjet palëve dhe vullneti për të arritur një marrëveshje mund të çojnë drejt një zgjidhjeje për çështjen e presidentit.

