Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Hallaq të Vogël dhe Rufc të Ri të Lipjanit në përkujtim të viktimave të vrara më 19 prill 1999.
Ai kujtoi se në atë ditë, forcat e armatosura serbe vranë 20 civilë të pafajshëm, të cilët u ndanë nga familjet dhe u ekzekutuan, për t’u varrosur më pas në një varrezë masive.
Kurti po ashtu përkujtoi edhe grupin e intelektualëve nga Mitrovica – 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë – të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë në zonën e Zubin Potokut.
Sipas tij, Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera gjatë luftës dhe nuk përmbush detyrimet ndërkombëtare, duke mos zbardhur fatin e personave të zhdukur.
“Ne nderojmë çdo jetë të dhënë për lirinë e Kosovës dhe qëndrojmë pranë familjarëve, duke ruajtur kujtesën dhe duke kërkuar drejtësi,” theksoi Kurti.
Ai shtoi se sakrifica për liri mbetet udhërrëfyes për të ardhmen e vendit, duke përfunduar me mesazhin: “I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve. Lavdi!”

