Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka dhënë shenja për fillimin e bisedimeve me partitë tjera për themelimin e institucioneve të reja. Ai ka bërë me dije se është në pritje të certifikimit të rezultateve të 7 qershorit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur se është në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ që më pas të nisë “pa humbur kohë” diskutimet me partitë tjera për formimin e institucioneve të reja.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve. Certifikimi i rezultateve duhet të presë për certifikimin e ankesave dhe më pastaj, pa humbur kohë, do të kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”.
Kurti nuk iu përgjigj gazetarëve që e pyetën se kë e preferon për koalicion. Ai u arsyetua se është duke u nxituar.
Në anën tjetër, partitë opozitare janë në pritje të lëvizjeve të lideri të VV-së.
Derisa askush prej partive shqiptare nuk ka vendosur vija të kuqe ndaj VV-së, PDK, LDK dhe AAK janë shprehur të hapur për punë e presidentit.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë me dije se kjo parti është e gatshme për bashkëpunim me subjektet tjera politike për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka theksuar se presidenti duhet të zgjidhet me konsensus.
Gjatë një interviste në “Debat Plus”, Tahiri ka vlerësuar se subjektet opozitare po tregojnë qasje konstruktive.
“Çka po shohim të tema e presidentit? Po shohim që subjektet opozitare kanë qasje konstruktive, edhe PDK-ja edhe LDK edhe Aleanca. Tash, presidenti nuk duhet me u zgjedh, një emër, me propozu një emër. Sigurisht që duhet një diskutim serioz, i akterëve, i partive politike. Është në dorën e Albin Kurtit, për shkak se e ka edhe përgjegjësinë edhe fuqinë me të madhe politike”, është shprehur ai.
Sipas tij, pa marrëveshje politike nuk mund të zgjidhet presidenti.
“PDK-ja është e interesuar që fuqinë e vet politike ta përdor që të ketë stabilitet. Por, PDK-ja nuk i nënshtrohet LVV-së, në asnjë formë. Nënkupton që për tu zgjedhur presidenti duhet me pas konsensus, duhet patjetër të arrihet marrëveshje politike, që të jenë 80 veta ulur në Kuvendin e Kosovës. Edhe me qenë votat për president”, ka thënë Tahiri.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Hazri, ka vlerësuar se LDK-ja është e gatshme për bashkëpunim me VV-në.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se me çfarë kushtesh LDK-ja mund të bashkëpunojë me VV-në.
“Kosova sot ka nevojë për agjendë të zbardhur kur jemi në fund të javës së dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Cilido opsion që arrin marrveshjen gjithëpërfshirëse, programin zhvillimor dhe agjendën strategjike duhet ta ketë në qendër të saj, ndërkaq skenari i ndarjes së përgjegjesive institicionale vjen në fund. Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz, për t’i dhënë fund krizave politike, që nënkupton kthimin e stabilitetit”, ka shkruar Haziri, duke dhënë detaje tjera.
“Kemi premtu që Republika e Kosovës është faktor i stabilitetit rajonal, duke respektu vlerat demokaratike. Ky rol i stabilitet rajonal buron nga stabiliteti dhe bashkëpunimi brenda Kosovës. Republika e Kosovës i ‘duron’ zgjedhjet e shpeshta vetëm kur e kujton që mundet me mbetë edhe pa zgjedhje një ditë. Nje njeri dhe nje parti është kauzë e humbur me 17 shkurt!”, ka shkruar ai.
Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor pasi legjislatura e kaluar dështoi të zgjidhte Presidentin e ri. Me po këtë sfidë do të përballet edhe legjislatura e re me t’u formuar.
Sidoqoftë, nga partia e Kurtit, e cila doli e para në zgjedhje, është paralajmëruar se fillimisht do të hidhet në votim Qeveria e më pas Presidenti.

