Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, ku kanë diskutuar për prioritetet e Qeverisë së re, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në Shën Stefan, në bregdetin e Adriatikut, ndërsa në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Energji, hekurudha dhe teknologji digjitale
Sipas Kurtit, palët kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në disa sektorë me rëndësi strategjike, përfshirë energjinë, hekurudhat dhe teknologjinë digjitale.
Ai ka theksuar se kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po luajnë një rol gjithnjë e më të madh përmes investimeve në këta sektorë.
SEPA dhe roaming-u, në fokus të integrimit evropian
Kurti ka rikujtuar se gjatë takimit të mëparshëm me kancelarin austriak, para katër muajsh, ishin diskutuar dy objektiva konkrete për Kosovën: integrimi në zonën e vetme të pagesave në euro, SEPA, dhe përfshirja në zonën e roaming-ut të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Kosova tashmë e ka përmbushur edhe kushtin e fundit përmes miratimit të tërësisë së ligjeve të nevojshme për SEPA-n, ndërsa për roaming-un pret që negociatat të nisin së shpejti.
Kurti: Kosova është gati për statusin e vendit kandidat
Kryeministri ka shprehur mbështetje për qëndrimin e kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë plotësisht i bashkuar, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka theksuar gjithashtu se vendet kandidate duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe sipas meritave.
“Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka deklaruar Kurti.
Në fund të postimit, ai ka bërë edhe një koment me nota sportive, duke iu referuar rezultateve të ndeshjeve të futbollit mes Kosovës dhe Austrisë: “Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll.”

