Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në kuadër të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, ku ka pranuar urime për mandatin e ri.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, iniciativë e nisur nga Gjermania më 2014, e cila synon të afrojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i trajtojë ato në mënyrë të barabartë.
Kurti ka përmendur edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, përfshirë udhëtimin me letërnjoftime dhe njohjen e diplomave, duke thënë se Kosova i ka zbatuar të gjitha.
“Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin”, ka shkruar Kurti.
Investimet gjermane në Kosovë arrijnë në 1.5 miliardë euro
Kryeministri ka bërë të ditur se investimet e drejtpërdrejta nga Gjermania në Kosovë arrijnë në rreth 1.5 miliardë euro, ndërsa 62 për qind e tyre janë realizuar vetëm gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas Kurtit, potenciali për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve mbetet i madh, veçanërisht në sektorët e industrisë, energjisë, transportit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), si dhe arsimit profesional.
Ai ka njoftuar gjithashtu se javën e ardhshme Prishtina do të mirëpresë Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili pritet të shërbejë si një mundësi për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Kurti përmend edhe vendimin për qëndrimin e ushtarëve gjermanë në KFOR
Kurti ka theksuar se Samiti i këtij viti po mbahet pas vendimit të Bundestagut gjerman për vazhdimin e qëndrimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Në fund të postimit, kryeministri ka vlerësuar rolin e Gjermanisë në rrugën evropiane të Kosovës.
“Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, Kancelar Merz!”, ka përfunduar Kurti.

