Kryeministri ni Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e organizatës HANDIKOS, me të cilët ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka theksuar se dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit, sipas tij, i është kushtuar hartimit të një ligji gjithëpërfshirës, i cili do të adresonte në mënyrë të plotë nevojat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara.
Kurti ka theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse, të cilat kanë njohuri të drejtpërdrejta për sfidat me të cilat përballet kjo kategori.
Ai ka deklaruar se Qeveria angazhohet për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara.

