Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajorin Stephen E. Osborn.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi gjeneralmajorin Osborn për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Gardës Kombëtare në trajnimin profesional, edukimin, zhvillimin e lidershipit ushtarak, si dhe në planifikimin operacional dhe logjistik të FSK-së.
Ai theksoi se partneriteti i Kosovës në këtë drejtim është i dyfishtë: me shtetin e Ajovës dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tërësi.
Diskutohet industria e mbrojtjes dhe siguria rajonale
Kurti dhe gjeneralmajori Osborn diskutuan edhe për hapat e parë të Kosovës në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bashkëbiseduesit u pajtuan për rolin kyç të Republikës së Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës mbetet një prej shtyllave të partneritetit të sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

