Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili e ka mbajtur këtë detyrë gjatë periudhës 1998–2002.
Gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar Scharpingun për rolin dhe kontributin e tij në koordinimin e veprimeve politike dhe ushtarake të Gjermanisë me shtetet e tjera të NATO-s gjatë vitit 1999.
Kurti: Scharping i qëndroi pranë Kosovës në kohën më të vështirë
Kurti ka vlerësuar se ish-ministri gjerman i Mbrojtjes ishte një prej zërave që mbështetën popullin shqiptar të Kosovës në periudhën e luftës.
“Denoncimi i planit ‘Patkoi’, sikurse vrasjeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, krahas këmbëngulësisë në argumentimin për ndërhyrjen e NATO-s, janë qëndrime që ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, e vendosin në anën e drejtë të historisë përgjithmonë”, ka deklaruar Kurti.
Scharping dokumentoi krimet gjatë luftës në Kosovë
Gjatë takimit është përmendur edhe libri i Rudolf Scharpingut, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”, në të cilin ish-ministri gjerman ka përfshirë kujtime dhe shënime nga periudha e luftës.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në këtë vepër Scharping dokumenton vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm i Sllobodan Millosheviqit.
Rudolf Scharping shërbeu si ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë nga viti 1998 deri në vitin 2002 dhe ishte në këtë pozitë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999.

