Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, në margjinat e konferencës ndërkombëtare KosovaPAR 2026.
Në takim ishte i pranishëm edhe ministri Lulëzon Jagxhiu, ndërsa konferenca është organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Kurti ka bërë të ditur se me homologun malazez kanë diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe transformimin digjital.
Ai ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, sidomos në proceset që i afrojnë të dyja vendet drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Kurtit, bashkëpunimi në këto fusha mund të kontribuojë në përparimin e Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

