Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen nesër, më 8 nëntor.
Përmes një mesazhi publik, Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.
Për 29 vendet në Këshillin Kombëtar Shqiptar garojnë katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë.
Kurti ka theksuar se, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, si rezultat i regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Sipas tij, ky është një zhvillim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre kolektive.
Këshilli ka kompetenca në arsim, kulturë dhe informim
Kryeministri ka rikujtuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ushtron autorizime publike në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
Këto kompetenca përfshijnë shkollimin në gjuhën shqipe, tekstet mësimore, institucionet kulturore, mediat në shqip dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Kurti ka përmendur edhe pengesat me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët në këto tri komuna, duke përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përmes mbështetjes me tekste mësimore, bursa për nxënës e studentë, si dhe përkrahjes së kulturës dhe institucioneve përfaqësuese.
Në fund, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.
