Gjykata e Lartë do të shqyrtojë këtë të martë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi çështja u rikthye për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Seanca është planifikuar të mbahet në orën 09:30, në Dhomë Këshillimi.
Gjykata e Lartë pritet të rivlerësojë masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu çështjen për rishqyrtim.
Në vendimin e ri, Gjykata e Lartë duhet të arsyetojë nëse masa “arrest me burg” është proporcionale në raport me pozitën që Veliaj ushtron si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë argumente të mjaftueshme për të shpjeguar përse Veliaj duhet të mbahet në burg, duke marrë në konsideratë edhe faktin se ai është drejtues i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.
Rishqyrtimi i masës së sigurisë do të zhvillohet në një moment kur Gjykata e Lartë ka rishikuar edhe një vendim unifikues të vitit 2011 lidhur me masën e sigurimit “arrest me burg” dhe kohëzgjatjen e saj.
Sipas këtij vendimi, masa e arrestit me burg duhet të vendoset pasi të jenë shqyrtuar realisht edhe masat e tjera alternative të sigurimit.
Seanca për çështjen e Veliajt është caktuar të zhvillohet në Dhomë Këshillimi, duke nisur nga ora 09:30.
Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në momentin kur fajësia e tij të vërtetohet me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

