Kuvendi i Kosovës mban sot seancën plenare ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Seanca është paraparë të nisë në ora 11:00.
Projektligji parasheh që buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 të arrijë rreth 4 miliardë euro, duke e bërë një nga buxhetet më të larta të miratuara ndonjëherë në vend.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, buxheti përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti i shtetit. Kjo pagesë, sipas tij, do të ekzekutohet menjëherë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Buxhetin.
Po ashtu, Buxheti 2026 parasheh rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para të përvojës, masë kjo që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat mujore të një numri të madh të punonjësve publikë.
Debati në seancë pritet të përqendrohet në prioritetet e shpenzimeve, nivelin e investimeve kapitale dhe ndikimin e buxhetit në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. Pas shqyrtimit të dytë dhe votimit, projektligji do të mund të hyjë në fuqi sipas procedurave ligjore.

