Lidhja Demokratike e Kosovës nga dje u pozicionua në opozitë, duke thënë se heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha dhe se LDK ka gatishmërinë për zgjedhjen e një Presidenti jopartiak që mbron “Republikën e Kushtetutën”.
“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku dje.
Por, sot kjo parti nuk iu bashkua dy partive të tjera opozitare, PDK e AAK, të cilët shkuan në sallën e Kuvendit e mbajtën konferencë për media me kërkesën për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për thirrjen sa më parë të seancës konstituive.

