Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të mbajë sot një mbledhje të përbashkët mes Kryesisë së partisë dhe kryetarëve të degëve, e cila do të nisë nga ora 15:00.
Takimi vjen në një moment tensioni të brendshëm në parti, ku pritet të diskutohet gjerësisht situata aktuale politike dhe organizative brenda LDK-së.
Sipas burimeve brenda partisë, disa degë dhe figura të larta të LDK-së kanë shprehur publikisht pakënaqësi ndaj udhëheqjes aktuale, duke kërkuar përgjegjësi politike për rezultatin e fundit zgjedhor. Madje, zëra të caktuar kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Pakënaqësitë janë shtuar sidomos pas rezultatit të dobët në zgjedhje, si dhe kritikave lidhur me mënyrën e drejtimit të partisë në periudhën e fundit.
Brenda LDK-së tashmë po kërkohet një analizë më e thellë e situatës dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive politike, ndërsa mbetet të shihet nëse mbledhja e sotme do të sjellë zhvillime konkrete apo vendime të rëndësishme për të ardhmen e partisë.

